Vazhdimësia gjeopolitike e pushtetit të ri në Beograd
Programi politik i Listës Studentore me të cilin pretendon transformimin demokratik të Serbisë, nuk përmban asnjë ndryshim në orientimet e politikës së jashtme. ‘Neutraliteti ushtarak’, Kosova si pjesë e Serbisë, refuzimi i sanksioneve ndaj Rusisë, partneriteti strategjik me Kinën, partneriteti ekonomik me Bashkimin Europian dhe dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë zotimet kryesore të kapitullit “Punët e Jashtme dhe Interesat Kombëtare”, duke manifestuar përputhshmëri të plotë gjeopolitike me programet e qeverive të mëparshme nën presidencën e Aleksandër Vuçiqit.
Përtej nuancave programore dhe atyre diskursive, ky është përfundimi që del nga krahasimi i programit të Listës Studentore me programet e qeverive të Millosh Vuçeviqit dhe Gjuro Macut-it, si vazhdimësi e përshtatur e synimeve hegjemoniste të Serbisë në rajon.
“Neutraliteti” i kamufluar
“Në përputhje me Rezolutën për Mbrojtjen e Sovranitetit, Integritetit Territorial dhe Rendit Kushtetues të 26 dhjetorit 2007, do ta ruajmë neutralitetin ushtarak si përcaktim strategjik të Serbisë”, specifikohet në kapitullin “Punët e Jashtme dhe Interesat Kombëtare” (Lista Studentore, Punët e Jashtme), derisa në kapitullin “Mbrojtja” elaborohen objektivat për modernizimin, profesionalizimin dhe avancimin teknologjik të ushtrisë (Lista Studentore, Mbrojtja).
Njësoj si programi i qeverisë së Vuçeviqit (2024), që e përcaktonte “pavarësinë politike dhe neutralitetin ushtarak” si dy shtyllat e politikës së jashtme, apo ai i qeverisë së Macutit (2025) që e ndërlidhte “neutralitetin” me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, edhe Lista Studentore kamuflohet me “neutralitetin strategjik”, i cili deri më tani ka shërbyer si “fasadë” për militarizimin dhe afrimin me Rusinë e Kinën (Morina, 2022; Serbia Report 2026). Në këtë kuadër, programi i “studentëve” nuk parashikon reduktim të fuqisë ushtarake, por rritje të investimeve dhe një sistem të integruar të mbrojtjes kundërajrore, me kapacitet deri në 300 kilometra.
Krahasuar me qeveritë e mëparshme, programi dallon vetëm në modelin e rekrutimit dhe paketën financiare e sociale, që premton rritje të pagës bazë, shtesa dhe kredi të favorshme banesore për ushtarët. Ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes, Bratisllav Gasiç kishte pohuar se janë gati për shërbimin e detyrueshëm nga marsi 2027 (Tanjug, 07.07.2026), Lista Studentore ka përcaktuar shërbimin vullnetar, duke i dhënë përparësi ushtrisë profesionale.
Kosova “pjesë e Serbisë”
Krahasimi i programit të Listës Studentore me programet qeveritare të Vuçeviqit (2024) dhe Macutit (2025) identifikon përputhje të plotë edhe në qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës. “Do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 1244. Do ta kundërshtojmë vazhdimisht pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në programin e Listës Studentore (Kosova dhe Metohija), duke afishuar qëndrim krejtësisht të njëjtë me qeveritë e kaluara edhe sa i përket detyrimit të pranuar të Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare (Marrëveshja e Brukselit, 27.02.2023).
Derisa Vuçeviq e trajtonte “mbrojtjen” e Kosovës si sfidë të sovranitetit dhe përballjes diplomatike me Perëndimin (Kosovo Online, 01.05.2024), apo Macut si detyrim kushtetues e kombëtar (Ekspozeja, 15.04.2025), Lista Studentore e përsërit të njëjtin objektiv, duke iu referuar Kushtetutës dhe Rezolutës 1244. Kjo do të thotë se ndryshimi i pushtetit në Serbi, jo vetëm që nuk ka sjellë ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës, por e ka ashpërsuar atë në raport me marrëveshjet e dialogut të Brukselit. Ajo zotohet se do të “ndjekë penalisht përfaqësuesit e regjimit për çdo vepër të mundshme penale që lidhet me arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”, derisa paralajmëron se të gjitha do t’i nënshtrohen shqyrtimit kushtetues.
Përveç kësaj pike, angazhimet e tjera janë të njëjta, duke përfshirë përpjekjet për autonomi sa më të gjerë jo vetëm të komunave me shumicë serbe, por edhe të vendbanimeve të tjera me serbë e goranë, të lidhura në njësi të vetqeverisjes lokale, ruajtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore e sociale, me theks të veçantë universitetin në Mitrovicë të Veriut, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare dhe pronën e Kishës Ortodokse Serbe, e të tjera.
Partnerit tradicional, jo sanksione Rusisë
“Ne do të ruajmë partneritetin tradicional me Rusinë, për t’u koordinuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me interes të përbashkët. Serbia do të mbajë qëndrimin parimor për mosvënie të masave kufizuese ndaj Rusisë, por edhe për respektimin e integritetit territorial të shteteve sovrane, përfshirë Ukrainën” (Lista Studentore, Serbia dhe Bota). Pra, partneriteti dhe qëndrimi kundër sanksioneve si dy shtyllat e politikës serbe ndaj Moskës, konfirmojnë vazhdimësinë me qeverisjet e mëparshme, pavarësisht dallimeve në arsyetim.
‘Koordinimi’ në Këshillin e Sigurimit, duke e përdorur OKB-në si platformë ndërkombëtare për propagandën kundër Kosovës, është dëshmuar sidomos nga Vuçiqi dhe qeveritë e tij (Kosovo Briefing, 07.02.2024; Adresimi i Vuçiq, 23.09.2026), ndërsa përputhshmëria me Listën Studentore përfshin gjithashtu “dënimin” e invazionit ushtarak në Ukrainë dhe refuzimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Serbia kishte votuar pro Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e dënonte agresionin (ES 11/1, 02.03.2022) dhe në të njëjtën linjë, Vuçeviq e Macut konfirmonin mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, por duke refuzuar sanksionet ndaj Moskës (Reuters, 13.05.2024; Qeveria e Serbisë, 29.12.2025).
As në fushën energjetike, pavarësisht kërkesave të SHBA-së dhe sanksioneve të saj ndaj kompanisë “Nis”, programi i “studentëve” nuk bën shkëputje nga politika e mëparshme. Me gjithë synimin për të zvogëluar varësinë nga një aktor i vetëm gjeopolitik, janë përcaktuar orientime të ngjashme nga qeveritë e Vuçiqit, si interkonektorët me Maqedoninë e Veriut dhe Rumaninë (Lista Studentore, Energjetika).
Partneriteti strategjik me Kinën
Edhe Kina e vazhdon ‘partneritetin strategjik’ me zotimin për “zgjerim të bashkëpunimit në ekonomi, infrastrukturë dhe investime të teknologjisë së lartë”. “Do ta zhvillojmë partneritetin gjithëpërfshirës me Kinën dhe në projektet e ardhshme do të insistojmë për respektimin e standardeve mjedisore, të drejtave të punëtorëve dhe sigurisë në punë” (Lista Studentore, Serbia dhe bota).
Ndërsa qeveritë e Vuçeviqit dhe Macutit i promovonin marrëdhëniet me Kinën përmes “miqësisë së çeliktë”, investimeve infrastrukturore dhe blerjes së sistemeve kineze të mbrojtjes FK-3 dhe HQ-17AE (Qeveria e Serbisë, 17.05.2024; Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, 28.06.2024), Lista Studentore e ruan vazhdimin e partneritetit, mirëpo pa e specifikuar fushën e mbrojtjes. Kjo do të thotë se programi i “studentëve” synon të ndryshojë kushtet e bashkëpunimit, por pa e cenuar marrëdhënien strategjike të ndërtuar gjatë presidencës së Vuçiqit.
BE-ja si “kuletë”, jo orientim strategjik
Bazuar në qëndrimet për Kosovën, Rusinë dhe Kinën, programi i Listës Studentore promovon qasje të njëjtë edhe ndaj integrimit europian, madje me një degradim të rëndësishëm jo vetëm diskursiv, përmes kornizimit të BE-së si ‘përfitim ekonomik e financiar’ dhe ‘kushtëzimit’ të anëtarësimit me organizimin e një referendumi (Politika, 17.11.2026). Derisa qeveria e Vuçeviqit (2024) e përcaktonte shprehimisht anëtarësimin si ‘objektiv strategjik’, por duke kundërshtuar njohjen e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë, ashtu si edhe qeveria e Macut-it (2025) që i ndërlidhte reformat europiane me “nevojat e qytetarëve” të Serbisë, Lista Studentore e definon BE-në si “partnerin më të rëndësishëm ekonomik”, për shkak të fondeve dhe investimeve.
“Do ta thellojmë bashkëpunimin me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Europiane të Investimeve (BEI), me qëllim që të sigurojmë grante dhe forma të tjera të mbështetjes financiare për projektet zhvillimore me rëndësi për qytetarët” (Lista Studentore, Serbia dhe Europa). Specifikimi në program i zotimit për thellimin e partneriteteve strategjike tashmë të lidhura me Greqinë, Italinë, Hungarinë e Francën, si formë e synuar e bashkëpunimit dypalësh edhe me vendet e tjera anëtare të BE-së, si dhe paralajmërimi për organizimin e një refrendumi mbi anëtarësimin, konfirmon jo vetëm qasjen e njëjtë “mashtruese” si të qeverive të mëparshme, por edhe zhvlerësimin e BE-së si objektiv strategjik, tashmë as deklarativ.
Dialog strategjik me SHBA-në
Edhe në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahasimi i programit të Listës Studentore me ato të qeverive të mëparshme identifikon vazhdimësi të qartë, pavarësisht mospajtimeve lidhur me Kosovën. “Do t’i zhvillojmë marrëdhëniet me SHBA-në bazuar në interesat e përbashkëta dhe besimin më të madh. Do ta vazhdojmë dialogun strategjik për telekomunikacionin, energjetikën, transportin, inteligjencën artificiale, diversifikimin e furnizimit me gaz dhe LNG-në, si dhe bashkëpunimin në mbrojtje”, thuhet në programin e Listës Studentore, i cili parasheh gjithashtu zgjerimin e tregtisë dhe përfshirjen e diasporës serbe në SHBA (Lista Studentore, Serbia dhe Bota).
Të njëjtën qasje kishin promovuar edhe Vuçeviq, me interesin serb për “marrëdhënie sa më të mira me amerikanët”, pavarësisht mospajtimeve lidhur me Kosovëm (Kosovo Online, 01.05.2024), edhe Macut më pas, kur ministri i tij i Jashtëm, Gjuriq e cilësonte fillimin e dialogut strategjik me SHBA-në prioritet të qeverisë (Qeveria e Serbisë, 28.04.2025). Prandaj, zotimi i Listës Studentore për “vazhdimin e dialogut strategjik”, paraqet thjesht vazhdimin e një mekanizmi tashmë të krijuar nga qeveria e Macutit, me përputhshmëri të dukshme, sidomos në fushën energjetike.
Përndryshe, afrimi potencial me SHBA-në apo reformat përfituese nga BE-ja s’do të ishin shqetësuese sikur Lista Studentore të sinjalizonte kthesën gjeopolitike drejt Perëndimit. Një gjë e tillë do të nënkuptonte shansin e ‘normalizimit’ me Kosovën, duke i dhënë fund strategjisë hibride të destabilizimit dhe sabotimit ndërkombëtar.
Mirëpo, edhe programi i Listës Studentore, njësoj si politika e deritashme e Serbisë, e projekton SHBA-në si përfitim nga “mosinkuadrimi”, e jo si orientim të ri gjeopolitik që testohet me Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë. Prandaj, Lista që e rrëzoi Vuçiqin në Serbi është veçse një ‘alter ego’ e Listës Serbe në Kosovë, e cila do ta vazhdojë politikën revizioniste për aq kohë sa do të vazhdojë të ‘tolerohet’, dhe do ta mbajë peng demokratizimin e vërtetë të Serbisë, për aq kohë sa nuk heq dorë nga ambiciet e saj shoviniste në Ballkan.
