Në shoqëritë demokratike, zgjedhjet e lira e të drejta janë fundament i demokracisë përfaqësuese, duke siguruar legjitimitetin e institucioneve politike, stabilitetin e rendit publik dhe mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare. Në vendet e lira, zgjedhjet nuk shërbejnë vetëm si mekanizëm për transferimin paqësor të pushtetit, por edhe si instrument përmes të cilit qytetarët ushtrojnë sovranitetin e tyre dhe shprehin besimin ndaj institucioneve publike. Sipas Pippa Norris (2014), integriteti zgjedhor nënkupton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet demokratike gjatë të gjitha fazave të procesit. Çdo ndërhyrje që cenon integritetin e zgjedhjeve, qoftë përmes manipulimit të informacionit, ndërhyrjeve kibernetike apo formave të tjera të ndikimit të jashtëm, mund të cenojë besimin e qytetarëve në proceset demokratike dhe të prodhojë pasoja të rënda politike, sociale e të sigurisë (Norris, 2014:21-22).

Sipas Robert A. Dahl (1989), legjitimiteti i qeverisjes demokratike mbështetet në pjesëmarrjen efektive të qytetarëve, konkurrencën dhe barazinë politike në procesin e vendimmarrjes. Në këtë kuptim, sovraniteti popullor realizohet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat sigurojnë që votat e qytetarëve të përkthehen në autoritet politik (Dahl, 1989:108–109). Kur procesi zgjedhor manipulohet ose ndikohet nga aktorë të brendshëm apo të jashtëm, cenohet besueshmëria e institucioneve demokratike dhe vihet në pikëpyetje legjitimiteti i qeverisjes (Dahl, 1989:221–222). Për këtë arsye, integriteti zgjedhor konsiderohet një komponent thelbësor i funksionimit demokratik dhe element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare.

Në literaturën bashkëkohore të studimeve të sigurisë, koncepti i kërcënimeve hibride ka zgjeruar ndjeshëm kuptimin tradicional të sigurisë, duke tejkaluar qasjen klasike të fokusuar kryesisht në kërcënimet ushtarake konvencionale. Kërcënimet hibride përfshijnë përdorimin e koordinuar të instrumenteve politike, ekonomike, informative, diplomatike, ushtarake dhe kibernetike, për të arritur objektiva strategjike, shpesh pa u përfshirë në një konflikt të drejtpërdrejt ushtarak (Chivvis, 2017: 3-5).  Sipas Frank G. Hoffman (2007), aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë kombinojnë forma të ndryshme të presionit dhe ndikimit për t’i shfrytëzuar dobësitë e kundërshtarit, në funksion të arritjes së avantazheve politike e strategjike. Kjo qasje e bën të vështirë identifikimin e burimit të kërcënimit dhe krijon sfida të reja për institucionet e sigurisë dhe mekanizmat demokratik (Hoffman, 2007, pp. 14-15).

Në këtë kontekst, proceset zgjedhore janë shndërruar në objektiva të rëndësishme të operacioneve hibride. Zgjedhjet përfaqësojnë themelin e legjitimitetit demokratik dhe çdo ndërhyrje në integritetin e tyre mund të prodhojë pasoja afatgjata politike e socio-ekonomike. Lufta hibride synon të ndikojë jo vetëm në kapacitetet materiale të një shteti, por edhe në perceptimet dhe vendimmarrjen e qytetarëve, duke e bërë opinionin publik një fushë të rëndësishme beteje. Përmes manipulimit të informacionit, dezinformimit dhe ndikimit psikologjik, aktorët e jashtëm mund të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe në vetë procesin zgjedhor (Chivvis, 2017: 3-5). Siç thekson ky autor, Rusia përdor “instrumente të shumta të fuqisë dhe ndikimit, me theks të veçantë në mjetet joushtarake, për të formësuar rezultatet politike në shtetet e synuara, në mënyra që favorizojnë interesat e saj” . Kësisoj, përmes manipulimit të informacionit, fushatave të dezinformimit, operacioneve kibernetike dhe formave të tjera të ndikimit politik, aktorët e jashtëm mund të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe në vetë procesin zgjedhor. Këto veprime synojnë të ndikojnë perceptimet publike dhe procesin e vendimmarrjes politike, duke dobësuar legjitimitetin e qeverisjes, polarizuar shoqërinë dhe cenuar stabilitetin politik e institucional të shtetit (Chivvis, 2017: 1-3).

Integriteti zgjedhor si komponent i sigurisë kombëtare

Në qasjet tradicionale, siguria kombëtare identifikohej kryesisht me mbrojtjen e territorit dhe aftësinë e shtetit për t’u përballur me kërcënimet e jashtme ushtarake. Megjithatë, zhvillimet teorike pas Luftës së Ftohtë e kanë zgjeruar këtë koncept, duke përfshirë edhe dimensione politike, institucionale dhe shoqërore të sigurisë. Sipas Barry Buzan, siguria politike lidhet me stabilitetin organizativ të shtetit, legjitimitetin e institucioneve dhe aftësinë e tyre për të ruajtur rendin kushtetues dhe autoritetin politik. Në këtë kuptim, cenimi i besimit publik ndaj institucioneve demokratike mund të shndërrohet në një kërcënim serioz për sigurinë e shtetit (Buzan, 1991:118-120).

Rëndësia e integritetit zgjedhor për sigurinë kombëtare është bërë edhe më e dukshme në epokën e kërcënimeve hibride. Shtetet dhe aktorët e huaj gjithnjë e më shumë synojnë të ndikojnë proceset zgjedhore përmes dezinformimit, operacioneve informative, sulmeve kibernetike dhe manipulimit të opinionit publik. Këto ndërhyrje nuk synojnë domosdoshmërisht ndryshimin e rezultatit zgjedhor, por humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet demokratike dhe krijimin e polarizimit politik. E shoqëror. Kjo qasje është në përputhje me konceptin e luftës hibride të zhvilluar nga Frank Hoffman, sipas të cilit aktorët shtetërorë përdorin kombinime të mjeteve ushtarake dhe joushtarake për të arritur objektiva strategjike (Hoffman, 2007:8-9). Një rast ilustrues është ndërhyrja ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016. Hetimet amerikane arritën në përfundimin se objektivi kryesor nuk ishte vetëm favorizimi i një kandidati të caktuar, por dobësimi i besimit të qytetarëve amerikanë në procesin demokratik dhe rritja e polarizimit politik. Ky rast tregoi se cenimi i integritetit zgjedhor mund të prodhojë pasoja afatgjata për stabilitetin institucional dhe sigurinë kombëtare (BBC, 20/03/2017). Në këtë kuptim, integriteti zgjedhor duhet të kuptohet si pjesë e infrastrukturës kritike të shtetit. Një cenim i tij mund të shkaktojë pasoja zinxhirore: delegjitimim të institucioneve, rritje të protestave, polarizim të skajshëm politik dhe dobësim të kapaciteteve vendimmarrëse të shtetit. Për më tepër, në shoqëritë e polarizuara, ndërhyrjet në zgjedhje mund të shërbejnë si katalizator për kriza më të thella politike, duke cenuar kohezionin social dhe rrezikuar paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të vendit.

Integriteti zgjedhor dhe Siguria kombëtare e Kosovës

Kërcënimet hibride janë bërë një nga format më komplekse të sfidimit të sigurisë kombëtare në shtetet moderne, veçanërisht në vende në konsolidim e sipër si Kosova. Ndërhyrjet e Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë përbëjnë një element të rëndësishëm të kërcënimeve hibride ndaj sigurisë kombëtare dhe integritetit demokratik të Kosovës. Këto ndërhyrje nuk manifestohen në një formë të vetme, por në një kombinim të mekanizmave politikë, informativë dhe institucionalë, të cilët synojnë ndikimin e sjelljes elektorale, delegjitimimin e institucioneve dhe ruajtjen e ndikimit të Beogradit në strukturat politike të komunitetit serb në Kosovë. Një nga format kryesore të ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është dimensioni politik, i cili realizohet përmes strukturave të organizuara politike që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë. Sipas Arben Fetoshit, Drejtor i Institutit “Octopus”, Serbia vazhdon të përdorë mekanizma politikë të koordinuar për të ndikuar në sjelljen elektorale të qytetarëve serbë në Kosovë, duke instrumentalizuar partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre në funksion të interesave të Beogradit (Fetoshi, 2026). Në këtë kuptim, Lista Serbe paraqet një mekanizëm politik që shërben për të kanalizuar ndikimin e Beogradit brenda institucioneve të Kosovës, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejt midis politikës së jashtme serbe dhe dinamikave të brendshme zgjedhore.

Një tjetër formë e rëndësishme e ndërhyrjes është dimensioni informativ, i cili përfshin përdorimin e mediave, dezinformimin dhe narrativat propagandistike e nacionaliste për të ndikuar opinionin publik. Në këtë aspekt, Serbia përdor një gamë të gjerë kanalesh mediatike për të ndërtuar narrativa që e paraqesin Kosovën si shtet jofunksional ose “të përkohshëm”, duke ndikuar kështu në perceptimin e votuesve lokalë serbë (Fetoshi, 2025). Përveç dimensionit politik dhe atij informativ, ndikimi i Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë shfaqet edhe në një nivel më të thelluar institucional dhe strukturor, duke e bërë këtë formë ndërhyrjeje pjesë të qëndrueshme të spektrit të kërcënimeve hibride dhe relativisht të vështirë për t’u neutralizuar. Ky ndikim nuk kufizohet vetëm në periudhat e fushatave zgjedhore, por shtrihet në një rrjet më të gjerë mekanizmash ndikimi, të cilët përfshijnë funksionimin e institucioneve paralele, format e organizimit lokal të kontrollit social, si dhe varësitë ekonomike dhe sociale që ndikojnë në orientimin e sjelljes politike të komunitetit serb në Kosovë (CSIS, 2020).

Për më tepër, ky dimension institucional i ndërhyrjeve ndërlidhet ngushtë me strategjitë më të gjera të Serbisë për ruajtjen e ndikimit në veriun e Kosovës, të cilat janë të dokumentuara edhe në raportime të ndryshme ndërkombëtare. Këto strategji përfshijnë ruajtjen e një pranie të strukturuar institucionale dhe ekonomike që mundëson ndikim afatgjatë politik, përtej cikleve zgjedhore (ICG, 2011:2-3). Në këtë mënyrë, zgjedhjet nuk duhet trajtuar si një proces i izoluar demokratik, por si pjesë e një sistemi më të gjerë të konkurrencës politike dhe gjeostrategjike.

Mbrojtja e Kosovës nga ndërhyrjet hibride në proceset zgjedhore kërkon një qasje të integruar, afatgjatë dhe shumëdimensionale, pasi natyra e këtyre kërcënimeve është komplekse dhe e shpërndarë në nivele politike, informative, institucionale dhe sociale. Duke qenë se ndërhyrjet nuk kufizohen vetëm në periudhën zgjedhore, por janë rezultat i ndikimeve të vazhdueshme strukturore dhe të rrjeteve të konsoliduara të influencës, përgjigjja shtetërore duhet të jetë po aq gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme. Ruajtja e integritetit zgjedhor në Kosovë nuk duhet të kuptohet si një proces i kufizuar vetëm në aspektet teknike të organizimit të zgjedhjeve apo në funksionimin formal të institucioneve zgjedhore, por si një proces më i gjerë dhe i vazhdueshëm strategjik që lidhet drejtpërdrejt me forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e reziliencës së shoqërisë ndaj ndikimeve të jashtme.

Edhe pse Kosova, në përgjithësi, organizon zgjedhje të lira dhe demokratike të vlerësuara lart nga institucionet ndërkombëtare, sfida kryesore mbetet garantimi i mbrojtjes së këtyre proceseve nga ndërhyrjet e mundshme hibride, sidomos nga Serbia, të cilat synojnë jo domosdoshmërisht manipulimin direkt të votës, por dobësimin e besimit publik, ndikimin në sjelljen politike dhe cenimin e stabilitetit institucional. Në këtë drejtim, forcimi i integritetit zgjedhor kërkon një qasje të gjerë dhe të koordinuar, e cila nuk kufizohet vetëm në aspektet administrative të organizimit të zgjedhjeve, por shtrihet në konsolidimin e institucioneve funksionale dhe të besueshme, rritjen e nivelit të transparencës në proceset publike, fuqizimin e zbatimit të ligjit dhe ndërtimin e mekanizmave efektivë për parandalimin dhe luftimin e dezinformimit, si dhe të çdo forme të presionit politik që mund të ndikojë në vullnetin e lirë të votuesve.

Share.