Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”
Institute for Hybrid Warfare Studies “Octopus”
Propaganda Mediatike Serbe dhe Ruse në Kosovë
Serbian and Russian Media Propaganda in Kosovo


Autorët/Authors
Agim Musliu
Drejtor / Director
Taulant Elshani
Hulumtues / Researcher

Abstrakt

Ky hulumtim ekzaminon rolin e dezinformimit medial serb dhe rus në Ballkan, me fokus qëllimet malinje si dhe impaktin e tij negativ në proceset demokratike dhe integruese të vendeve të rajonit.

Ky hulumtim fillon me një rishikim të shkurtër historik rreth propagandës serbe, duke njdekur rrugët prapa qysh në ditët e para të fillimit të përhapjes së propagandës serbe. Pastaj diskutohet si gjenerohet propaganda sot në Serbi, duke u fokusuar në kontrollin total shtetëror mbi median dhe fjalën e lirë në funksion të shpërndrarjes së dezinformaconit.

Më pas hulumtimi prezanton raste studimore të tri mediave serbe dhe ruse që janë të njohura për shpërndarjen e dezinformacionit në Ballkan: Kosovo Online, Sputnik dhe Russia Today. Rastet studimore demonstrojnë se si të trija këto media përdorin një gamë të gjërë të teknikave për shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe mbjelljen e përçarjes në rajon.

Hulumtimi përfundon duke argumentuar se fushatat dezinformuese serbe dhe ruse në Ballkan kanë një numër të konsiderueshëm të pasojave negative për demokracinë. Hulumtimi po ashtu argumenton se me dezinformim dhe propagandë mund të minohet besimi në institucione, mund të polarizohet shoqëria si dhe mund të krijohet truall pjellor për mungesën e stabilitetit. Hulumtimi bën thirrje për vëmëndje më të madhe për problemin e lajmeve të rrejshme si dhe masat që duhet të merren për të luftuar shpërndarjen e dezinformimit.

Metodologjia

Metodologjia e përdorur në këtë hulumtim është analiza e influencës ruse nëpërmjet mediave serbe. Hulumtimi përfshin intervistat, burimet sekondare, monitorimin e mediave, analizën e kontentit, metodologjinë e OSINT, informacione të referuara dhe analizën e të dhënave.

Monitorimi i mediave është pjesë e metodologjisë për mbledhje dhe analizë të dhënave duke i filtruar, kuptuar dhe shpjeguar artikujt e publikuar nga dy mediat si Sputnik Serbia dhe Kosovo Online. Përfshirë publikimet, artikujt, dhe identifikimin e temave për shpërndarjen e narrativave dhe propagandës për dezinformata. Shembujt illustrative janë të analizuara për këtë çështje specifike. Qëllimi është kuptimi se si Serbia përdor mediat dhe ndryshon diskursin politik duke influencuar opinionin publik në nivelet ndërkombëtare dhe rajonale.

Informacionet e referuara janë përdorur për të ofruar një kuptim më të qartë të hulumtimit. Intervistat janë realizuar me ekspertë në gazetari dhe studime të mediave. Gjithashtu, të dhënat janë të mbledhura nga publikimet akademike, investigimet gazetareske, artikuj dhe raporte të lidhura me ndikimin rus në media. Të dhënat janë për të identifikuar qëndrimet, trendet dhe përceptimet e influencës ruse nëpërmjet mediave serbe për audiencën e caktuar.

Hulumtimi paraqet të gjeturat dhe personat kyç siç janë Nenad Zoric, Ljubinka Milincic dhe Zoran Culafiq, Milos Gariq, Zeljko Tvrdisiq dhe rolin e tyre në promovimin e influencës ruse dhe serbe dhe narrativat. Metodologjia përfundon më të gjeturat kryesore dhe rekomandimet për ndalimin dashakeq të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe më saktësisht në Kosovë.

Hyrje

Influenca serbe dhe ruse përmes medias në Ballkan është pjesë e luftës hibride që ua mundëson këtyre dy vendeve arritjen e qëllimeve strategjike. Përmes dezinformimit të vazhdueshëm Serbia synon ta paraqes Kosovën si vatër krize, të krijoj idenë se serbët janë të rrezikuar, se në Kosovë ka një deportim të organizuar të serbëve, dhe në këtë mënyrë të shtyjë përpara idenë për paraqitjen e Kosovës shtet jofunksional, dhe për te themeluar ngrehina artificiale si nivele të tjera të pushtetit kinse për t’i mbrojtur serbët. Në anën tjetër përmes dezinformimit medial, Rusia gjithashtu tenton ta shtrijë ndikimin dhe ta projektojë fuqinë e saj, duke shtryrë kështu përpara interesat e saj strategjike si prania në rajonin e Ballkanit, sabotimin e proceseve integruese në NATO dhe BE si dhe rivalizimin e pranisë së perëndimit në këtë pjesë të botës.

Dezinformimi përgjithësisht definohet si plasim i informacioneve të rreme në mënyrë të qëllimshme për të mashtruar publikun, duke deformuar narrativat e caktuara me qëllim arritjen e qëllimeve strategjike, zhvendosjen e paradigmave te etabluara, parapërgatitjen për ndonjë inkurzion apo pushtim konvencional, për të rrënjosur ide se një sistem politik ështe jo kredibil, për të diskredituar figura politike e publike e të tjera.

Kohët e fundit, e sidomos me rritjen e përdorimit të teknoogjisë informative, dezinformimi është parë si një mundësi efikase në duar të propagandës ruse për të kundërshtuar, përçarë dhe sabotuar proceset demokratike kryerisht në Evropën perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa Serbia përmes kontrollimit pothuajse total të medias dhe fjalës së lirë përdor dezinformimin për të ndryshuar perceptimin e saj në botë, si dhe për të dëmtuar imazhin e Kosovës në planin ndërkombëtar.

Qëllimi i këtij projekti kërkimor është të studiojmë dhe analizojmë efektin e dezinformimit serb dhe rus përmes mediave në proceset demokratike në Ballkan, ndikimin te publiku i gjerë, pastaj analizimin e burimeve të dezinformimit dhe propagandës, rrugët dhe përçimin e dezinformatave dhe ndikimin real te publiku. Qëllim tjetër janë sugjerimet dhe rekomandimet që do të pasojnë në bazë të të gjeturave të punës kërkimore. Për t’i ikur subjektivitetit dhe për të faktuar punën ne kemi marrë disa raste studimore, ku përmes metodave të verifikimit të fakteve (fact-checking), rrjeteve të infuencuesve, politikave redaktuese e të ngjashme, ne dëshmojmë orientimin dhe qëllimin e projekteve propaganduese përmes megafonëve lokalë si media e portale online.

Pyetje hulumtuese kryesore kemi parashtruar se çfarë ndikimi real kanë fushatat dezinformuese mediale serbe dhe ruse në proceset demokratike në vendet e Ballkanit. Pyetje tjetër hulumtuese që do ta fokusojë dhe ndihmoj punën tonë kërkimore është a janë fushatat dezinformuese serbe dhe ruse në funksion të arritjes së qëllimeve për projektet e tyre politike si paralizimi i sistemeve politike, sidomos të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Pyetje e tretë kërkimore është cilat janë strategjitë dhe taktikat e përdorura gjatë fushatave dezinformuese serbe dhe ruse. Pyetje e fundit kërkimore është se cilat janë narrativat kryesore dezinformuese që po shpërndahen në Kosovë.

Hipoteza e parë e parashtruar në kërkimin tonë është se propaganda serbe dhe ruse në Ballkan ka për qëllim destabilizimin e rajonit dhe të pengoj integrimin në BE dhe NATO.

Hipoteza e dytë ështe se narrativa tjetër më e shpeshtë dezinformuese serbe dhe ruse ka të bëjë me Kosovën, duke shpërndarë vazhdimisht të pavërteta mbi gjendjen e pakicës serbe në Kosovë.

Kemi vënë re një numër të konsiderueshëm të hulumtimeve relevante dhe shumë serioze lidhur më influencën serbe dhe ruse përmes dezinformimit mediatik, si raporteve të organizatave ndërkombëtare si dhe hulumtimeve të organizatave të pavarura joqeveritare. Kontributin e dobishëm të hulumtimeve ekzistuese ne do ta zgjerojmë dhe do ta pasurojmë me vështrime kritike historike, raste studimore si dhe konkluza dhe rekomandime të përzgjedhura.

Vështrim i shkurtër historik mbi propagandën serbe

Propaganda serbe i ka rrënjët qysh në fillim të përgatitjeve të Luftës së Parë Ballkanike, ku shtetet aleate ballkanike si Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Një dokument me rëndësi të jashtëzakonshme historike që hedh dritë mbi propagandën serbe para dhe pas Luftës së Parë Ballkanike është raporti i Komisiont Ndërkombëtar i vitit 1914, që hetoi shkaqet e Luftës së Parë Ballkanike, dhe ekzaminoi me hollësi mizoritë e luftës. Komisioni përbëhej nga 14 anëtarë nga Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Austria dhe Rusia. Në kapitujt VII, VIII dhe IX përmendet propaganda serbe, qëllimet dhe efikasiteti i saj. Në kapitullin VII, fq. 167-172, raporti thekson propagandën serbe që veçohet për “dhunën dhe urrejtjen ekstreme”. Më tej, në fq. 173-182, raporti vë në pah nevojën për kontrollim dhe përmbajtje të propagandës, në mënyrë që të parandalohen luftërat e tjera. Në tërësinë e saj, raporti vlerëson se propaganda serbe nxiti krime dhe dhunë, plaçkitje dhe shkatërrime, duke veçuar rastin e Dibrës ku u masakruan shumë shqiptarë nga ushtria serbe, sepse ishin përhapur lajme të rrejshme kinse shqiptarët po bashkëpunonin me bullgarët.

Në vigjilje të Luftës së Parë Ballkanike, në Serbi filloi të përdorej gjërësisht propaganda e ashtuquajtur atrocity propaganda, që kishte si qëllim primar ta dehumanizonte Perandorinë Osmane si një e keqe e madhe që kryente mizori ndaj popullit serb. Profesori turk nga Universiteti i Stambollit, Y. Doğan Çetinkaya , në kërkimin e tij “Atrocity Propaganda and the Nationalization of the Masses in the Ottoman Empire During the Balkan Wars (1912-13)”, e definon atrocity propaganda si: “një formë e “luftës psikologjike” e përdorur për të stigmatizuar dhe demonizuar armikun duke theksuar krimet e tij kundër njerëzimit, duke nxitur kështu reagimin publik në frontin e brendshëm.” Çetinkaya po ashtu thotë se atrocity propaganda u përdor nga të gjitha palët e përfshira në konflikt. Nga shumë vëzhgues vlerësohet se atrocity propaganda pati efekt të konsiderueshëm në mobolizimin për luftë dhe për rritjen e moralit të ushtrisë serbe.

Propaganda serbe në fillim të Lutës së Parë Botërore (1914), ishte më e sofistikuar dhe me gjithëpërfshirëse si në kërkesat, po ashtu edhe agresivitetin e saj. Propaganda serbe e 1914, siç thekson historiani anglez, Dr. Samuel Foster, kishte për qëllim të parandalonte përhapjen dhe fuqizimin e opozitës së brendshme, si dhe të rrënjoste idenë se Serbia kërkonte me këmbëngulje bashkimin e të gjithë sllavëve të jugut, serbëve, kroatëve dhe sllovenëve nën një shtet, nga rrënojat e Perandorisë Habsbgurge, e cila u përforcua edhe me Deklaratën e Nishit, të datës 7 dhjetor, 1914.

Që nga qershori 1999, kur e nënshkroi kapitullimin, Serbia në mënyrë shumë agresive ka bërë përpjekje për ta përmbysur narrativën e luftës së fundit në Kosovë, duke u munduar ta mohojë gjenocidin, krimet, zhvendosjen e dhunshme të popullsië, shkatërrimet e pronës dhe dëmet e tjera ndaj Kosovës. Fabrikimi i së vërtetës rreth Kosovës u bë një nga fiksimet më të mëdha në axhendën shtetërore serbe dhe në debatin publik në Serbi, ku në mënyrë të organizuar dhe të sinkronizuar, të porositur dhe të mirëmenduar, pushteti, mediat, Akademia Serbe e Shkencave, intelektualët, Kisha Ortodokse Serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre nga Rusia lansuan fushata agresive me lajme të rrejshme, gjithmonë për të dëmtuar qëllimet dhe aspirata legjitime të popullit të Kosovës.

Me fushatat e saj të dezinformimit Serbia bëri të ditur se jo vetëm që nuk kishte plan të hiqte dorë nga Kosova, por se po mendonte se si përmes propagandës sistematike, si një nga komponentët e fuqishme të luftës hibride, të diskreditonte sa më shumë institucionet e reja të Kosovës. Në vitet e para të pasluftës, fushata dizinformuese serbe kundër Kosovës prodhoi efekte të shumta, duke frymëzuar edhe autorë ndërkombëtarë të prodhonin filma dokumentarë, shkrime dhe libra, të gjitha të bazuara në gënjeshtra dhe fabrikime serbe.

Qëllimet kryesore strategjike të propagandës së Serbisë ishin të diskreditonte institucionet e Republikës së Kosovës, duke i paraqitur ato si të paafta, të diskreditonte personalitetet publike duke shpifur e mveshur të pavërteta rreth së kaluarës së tyre, të fabrikonte lajme rreth minoritetit serb, duke i paraqitur ata si të rrezikuar, dhe si qëllim përfundimtar, ta portretizonte Kosovën si shtet të dështuar dhe të paaftë.

Si e relazion dhe zhvillon Serbia propagandën e saj kundër Kosovës

Për të konceptuar, zhvilluar dhe shpërndarë propagandën e saj Serbia angazhon një rrjet kompleks institucionesh, që fillon nga majat e pushtetit shtetëror, pastaj idetë zhvillohen në rangje më të ulëta të institucioneve shtetërore dhe shoqërore, për t’u shpërndar përmes mass medias tek publiku.

Zyra e Presidentit është zyra më e lartë publike ekzekutive në Serbi. Ky institucion është përgjegjës për përcaktimin e politikës së përgjithshme të vendit, duke përfshirë politikën e tij ndaj Kosovës. Presidenti ka një ndikim të madh mbi qeverinë, BIA-n dhe mediat shtetërore.

Qeveria e Serbisë është përgjegjëse për zbatimin e politikave të Presidentit. Ajo gjithashtu ka Ministrinë e saj të Informacionit, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e mediave shtetërore.

BIA është agjencia e inteligjencës e Serbisë. BIA është përgjegjëse për mbledhjen dhe analizimin e informacionit për një sërë temash, përfshirë Kosovën. BIA është gjithashtu përgjegjëse për përhapjen e dezinformatave dhe propagandës, dhe thuhet se ka një aktivitet shumë agresiv kundër Kosovës.

Serbia ka një sërë mediash shtetërore, duke përfshirë kanalin televiziv RTS, dhe gazetat Politika dhe Večernje novosti. Këto media përdoren për të përhapur propagandë dhe dezinformata për Kosovën.

Serbia gjithashtu ka një numër të mediave private që kontrollohen nga qeveria. Këto media përdoren edhe për të përhapur propagandë dhe dezinformata për Kosovën.

Akademia e Arteve dhe Shkencave është një institucion me ndikim në Serbi, që shihet si autoritet në kulturën dhe historinë serbe. Është akuzuar se është përdorur nga qeveria për të përhapur propagandë për Kosovën. Janë disa publikime kundërthënëse të këtij institucioni, me tone fyese dhe denigruese për shqiptarët.

Kisha Ortodokse Serbe është një institucion i fuqishëm në Serbi. Është akuzuar se është përdorur nga qeveria për të përhapur propagandë për Kosovën.

Rusia ka një interes të fortë në Ballkan. Ajo është akuzuar për mbështetje të fushatave propagandistike dhe dezinformuese të Serbisë kundër Kosovës.

Bizneset private mund të luajnë gjithashtu një rol në fushatën e propagandës dhe dezinformimit. Ato mund të përdoren për të përhapur dezinformata, ose mund të ofrojnë mbështetje financiare për fushatën.

Rasti studimor: portali Kosovo Online si qendër mediale e përhapjes së propagandës serbe në Kosovë

Nga diagrami i mësipërm pamë qartazi se propaganda serbe nxitet dhe përpunohet në një matriks të komplikuar interesash, institucionesh si dhe parapëlqimeve individuale të konjukturave që qeverisin aktualisht. Për të kuptuar qëllimet e propagandës serbe duhet të analizohen më në thellësi objektivat e politikës rajonale të Serbisë në Ballkan. Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Republikës së Serbisë, miratuar në vitin 2021, në kapitullin e I-rë ku flitet për “Ambientin Strategjik”, fq. 21, përcakton shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës si rrezik për sigurinë kombëtare të Serbisë. Në vazhdim, ky dokument lëshohet në fabrikime e të pavërteta ku gjendja në rajon paraqitet në mënyrë krejtësisht të pavërtetetë. Në vijim paragrafi i Strategjisë së sigurisë Kombëtare të Republikës së Serbisë ku paraqet Kosovën si vend të rreziqeve të ndryshme: “Përpjekja për shkëputjen e territorit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë kërcënon interesat kombëtare të Republikës së Serbisë. Situata e sigurisë në këtë krahinë karakterizohet nga imponimi i zgjidhjes së njëanshme të statusit të saj, mungesa e sundimit të ligjit, rrezikimi i sigurisë personale dhe pronësore të serbëve dhe popullsisë tjetër joshqiptare, ekstremizmi fetar, rreziku i aktiviteteve terroriste dhe zgjerimi i krimit të organizuar, korrupsioni, trafikimi i qenieve njerëzore, trafiku i paligjshëm i drogës dhe armëve”. Ky formulim është vazhdimësi e propagandës dhe fabrikimeve në funksion të interesave strategjike serbe.

Në këtë kuadër, mjet i rëndësishëm i propagandës dhe lajmeve të fabrikuara në Kosovë është shndërruar media Kosovo Online, një qendër propagandistike e kontrolluar krejtësisht nga Beogradi dhe në shërbim të interesave strategjike të Serbisë, të përmendura më lart. Kjo media është bërë epiqendër e luftës speciale dhe dezinformimit kundër Kosovës, duke publikuar lajme të rreme, plotësisht në përputhje me vijën zyrtare të politikës në Beograd. Si media më e rëndësishme serbe në Kosovë, Kosovo Online shërben si burim i vetëm informacioni për mediat serbe. Kjo pasqyrohet edhe nga motoja e kësaj organizate mediale – “Sve o Kosovu na jednom mestu!” – “Gjithçka për Kosovën në një vend!”

Që nga hyrja në fuqi e regjimit të vizave për nënshtetasit e Federatës Ruse, Kosovo Online është shndërruar në burim informacioni edhe për mediat në Moskë, ngaqë gazetarët rus e kanë pasur shumë më të vështirë për të hyrë në Kosovë. Ndërkohë që Kosovo Online kontrollohet dhe merr direktiva nga Beogradi, ajo dërgon mbrapa lajmet dhe propagandën, duke furnizuar mediat serbe dhe ruse me materialet ditore.

Pronësia

Sipas një raporti të fundit për pronësinë e medias nga BIRN, “Kosovo Online është në pronësi të biznesit “VIM INFO” D.O.O., biznes i cili u regjistrua në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesve në Kosovë (ARBK) më 26 korrik 2019. Pronar dhe drejtor i këtij biznesi me 100% të aksioneve është Dushan Milanoviq.

Në regjistrin e bizneseve të Serbisë, VIM INFO D.O.O është në pronësi të grupit “AVALA MEDIA GROUP DOO BEOGRAD”. E pronar i kompanisë AVALA MEDIA GROUP DOO

BEOGRAD është Ivan Jakshiq. Jakshiq është drejtor dhe kryeredaktor i portalit “Kosovo-Online”. Jakshiq ka qenë zëdhënës në Zyrën për Kosovë në kuadër të Qeverisë së Serbisë. Drejtor i kësaj zyre ka qenë Marko Gjuriq e tash është Petar Petkoviq.”

Më tej në raportin e BIRN thuhet se “koordinator i portalit Kosovo-Online për katër komunat me shumcië serbe të Kosovës është Ivica Simiq, vëllai i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq”.

Aktiviteti

Iniciativa për të lansuar Kosovo Online ka lindur si pasojë e pamundësisë për të shndërruar hapësirat e RTK 2 në dritare të propagandës serbe. Veçori e perbërjës së gazetarëve kryesorë që filluan me Kosovo Online është se ishin punonjës të RKT 2, por edhe të Sputnik dhe kontributorë të mediave të tjera serbe dhe ruse. Është e konfirmuar se redaktori i rubrikës KOntekst Miloš Garić ka kontakte direkte me shërbimet e inteligjencës serbe. Garić është po ashtu i angazhuar si komentator dhe analist politik. Kosovo Online ka pranuar publikisht se ka marrë fonde publike nga Serbia në disa projekte të ndara.

Përveç gjuhës serbe, Kosovo Online ka edicionin e saj në anglisht dhe shqip. Duhet theksuar se lajmet e përzgjedhura në të trija gjuhët ndryshojnë. Kjo sigurisht bëhet për të targetuar audienca të ndryshme me lajme të ndryshme. Në portalin online vërehet rubrika e veçantë për Gjykatën Speciale, (Specijalni sud), në të cilën përditësohen lajmet për procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së, ku haptas publikohen lajme të rrejshme, tituj sugjestivë e provokativë dhe me raste të shkëputura krejtësisht nga konteksti. Rubrika Specijalni sud është shënuar me tik, ngjyrë të verdhë, për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve online. Rubrikë tjetër është Ballkani i Hapur (Otvoreni Balkan), ku dominojnë lajmet pozitive dhe inkurajuese për këtë iniciativë rajonale të Serbisë. Rubrikë tjetër me rëndësi është Analizat (Analize). Propaganda dhe dezinformatat janë evidente po sa klikon në këtë seksion. Analiza kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, fabrikime për gjendjen e ekonomisë kosovare janë vetëm disa nga analizat tendencioze që publikohen aty.

Kosovo Online ka një prezencë të gjerë edhe në rrjetet më të mëdha sociale. Në rrjetin social Facebook ajo ka 28 mijë pëlqime, ndërsa 38 mijë ndjekës. Në platformën X (dikur Twitter) ka 1933 ndjekës. Në platformën Instagram ka 15 mijë ndjekës dhe në momentin që po shkruajmë ka 86, 978 postime. Në platformën e re Threads ka 708 ndjekës, ndërsa në kanalin e saj në YouTube ka 7 570 abonentë, dhe ka publikuar mbi 8700 video materiale.

Politikat editoriale të Kosovo Online

Për t’i ikur ekzaminimit subjektiv të portalit të lajmeve Kosovo Online po analizojmë politikat editoriale të kësaj medie, duke marrë në konsideratë misionin, vlerat, dhe standardet gazetareske. Në rubrikën Rreth nesh, Kosovo Online pretendon të jetë portal informativ që mbulon të gjitha “temat politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive nga Kosova dhe për Kosovën”. Një ekzaminim më i thelluar të çon në përfundime të pashmangshme se politikat editoriale të këtij mediumi janë tërësisht të një anshme, duke i dhënë një hapësirë jashtëzakonisht të madhe Presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe duke përçuar në vazhdimësi vijën zyrtare politike të Beogradit zyrtar. Në anën tjetër portretizohet me notat më negative Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Një temë e rëndësishme ku portali Kosova Online publikon vazhdimisht lajme të rreme dhe propagandë janë raportet ndëretnike në Kosovë. Raportet, analizat dhe opinionet që kanë të bëjnë me gjendjen e pakicave ndëretnike në Kosovë janë në shpërputhje totale me realitetin social-politik të Kosovës, në kundërshtim me të gjitha raportet prestigjioze të organizatave jo-qeveritare ndërkombëtare dhe raporteve kredibile të shteteve perëndimore. Raportet e United Nations Office of the High Commissioner for Human Rights (OHCHR), Organization for Security and Co-operation in Europe (OSCE) dhe European Union Agency for Fundamental Rights (FRA) në vazhdimësi tregojnë për përmirësim të gjendjes së serbëve të Kosovës. Siç dihet poashtu, Kosova ka një kornizë politiko-juridike unike për përfshirjen e minoritetit serb në proceset politike e shoqërore.

Verifikimi i fakteve – (Fact Checking) të Kosovo Online

Procesi i vërtetimit të saktësisë së informacionit vlerëson bindshëm rolin aktual të portalit Kosovo Online. Verifikimit të fakteve i nënshtrohen edhe mediat më prestigjioze ndërkombëtare, postimet në rrjete sociale, fjalimet politike e të tjera, ndërsa ka shumë platforma të pavaruara e kredibile që kryejnë këto verifikime në kohë shumë të shpejtë dhë në mënyrë të saktë. Nga monitorimi ynë i raportimeve të Kosovo Online mbi rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit na ka bërë të nxjerrim konkluzione të rëndësishme për qëllimet, orietimin, strategjinë propaganduese dhe pandjeshmërinë totale që ky portal ka. Ne kemi vërtetuar faktet nga artikuj të

përzgjedhur ku kemi vërejtur lajme të rreme mbi tema jashtëzakonisht të ndjeshme. Lajmi i parë i rremë është mbi komunikimin e Policisë së Kosovës në radiolidhje – ku një komuikim krejtëisht i zakonshëm paraqitet si neglizhencë e policisë ndaj një të plagosuri serb. Në artikullin e datës 24/09/2023 të orës 22:53 Kosovo Online e paraqet një audio material të Policisë së Kosovës dhe pretendon se aty po thuhet: shqip: “Edhe sikur të vdes asgjë”, serbisht: “I ako umre, ništa”. Ndërsa në analizimin e përmbajtjes së audios që zgjat katër sekonda të komunikimit policor thuhet: “Adem, Adem, lajmërohu. Adem Rudari, lajmërohu”. Kosovo Online nuk ka asnjë fakt, pjesë të audio materialit, apo ndonjë mbështetje çfarë do që ta mbështesë pretendimit e saj se aty në këtë komunikim po neglizhohet një i plagosur serb. Është një gënjeshtër nën kushtet e një sulmi të rrezikshëm terrorist dhe cënimit të rëndë të sovranitetit të Kosovës, që sigurisht mund të kishte prodhuar pasoja, si dhunë, hakmarrje dhe huti e çorientim. Ky lajm i rremë, përveç që shkel rëndë etikën dhe profesionalizmin e gazetarisë, provokon edhe nxitje të dhunës, nën kushtet e sulmit terrorist. Ky lajm është konsideruar si i pavërtetë edhe nga Internews Kosova, i publikuar në portalin Kallxo, si dhe është shënjuar si lajm i rremë edhe nga platforma Facebook.

Rrjeti i gazetarëve dhe kryeredaktorëve të Kosovo Online

Rrjeti i gazetarëve që ka punuar dhe kontribouar në Kosovo Online është kompleks, dhe me fije të shumta lidhjesh të pa kundërshtueshme me institucionet e Serbisë, sidomos me Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri (BIA), dhe me disa institucione të tjera. Dyshimet e bazuara për këta persona fillojnë që nga deklaratat e tyre publike kundër Kosovës, angazhimet publike dhe influenca që kanë ushtruar në platforma të tjera si dhe dyshimet për infiltrime në misione dhe institucione të Kosovës, si Radio Televizioni i Kosoves si dhe disa organizata ndërkombëtare.

Në fillim do të veçonim Zoran Culafiq, kryeredaktori i parë i Kosovo Online. Ky dyshohet si bashkëpunëtor i autoriteteve serbe të sigurisë, si dhe i infiltruar në disa organizata ndërkombëtare

në Kosovë për të marrë informata të dorës së parë nga terreni. Dihet mirë që gjatë punës si kryeredaktor i RKT 2, kanali në gjuhën serbe i RTK, Culafic ka punuar së bashku më një ekip ta ndaj kanalin serb nga RTK-ja dhe ta bëj atë televizion të veçantë ku pastaj mund të ushtronte propaganden serbe dhe ruse pa iu nënshtruar politikave redaktuese nga RTK.

Personazhi i radhës është kryeredaktori aktual i Kosovo Online, Milos Gariq, një gazetar me pikëpamje ultranacionaliste, me orientim të qartë prorus, ku veçohet angazhimi i tij në debate publike me thirrje për nxitje të urrejtjes dhe keqinformonte haptaz në kohën e tentativës për grusht-shtet në Mal të Zi. Njihet për propagandën antiperëndimore të cilën e ka shpërfaqur në të gjitha portalet ku ka punuar.

Zheljko Tvrdishiq, gazetar me përvojë të gjatë dhe korrespodent i disa televizioneve nga Beogradi, punoi po ashtu në portalin Kosovo Online për disa kohë, ku spikati për aftësitë e tij për propagandë. Pastaj Tvrdishiq kaloi në RTK 2, ku sipas të dhënave të grumbulluara nga instituti ynë, ishte plan i veçantë i inteligjencës serbe që përmes përvojës së Tvrdishiq ta pushtonte RTK

2. Siç dihet, Tvrdishiq u shkarkua pas raportimeve tendencioze të RTK 2 për sulmin terrorist në Banjskë, Zveçan.

Ilustrimi që kemi shkëputur më poshtë është një etiketim për artikullin e publikuar që tregon sponzorizimin direkt nga institucionet e Serbisë

Ndikimi malinj përmes Sputnik Serbia

Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor forcohet me prezencën e saj duke përdorur narrativat nëpërmjet aktorëve lokal. Andaj, Rusia e përdor median për të sponsoruar fuqinë e saj dhe gjurmëve në fushën e mediave për të arritur qëllimet dhe objektiva: glorifikimin, shtyrjen dhe influencën e elementeve destabilizuese të politikës së saj.

Rasti i studimit të Sputnik Serbia është i veçantë si një ndër shembujt e influencës ruse në Ballkanin Perëndimor. Sputnik Serbia është uebsite lajmesh i sponzorizuar nga Kremlini për propagandë të lajmeve dhe narativave në gjuhën Serbe për të arritur audiencën e saj. Me rëndësi është të theksohet që Vuçiq kontrollon më shumë se 80% të mediave serbe. Presidenti

Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij politike Partia Progresiste Serbe (SPS) janë pro-ruse dhe kanë numrin më të madh të votuesve. Mediat tjera si Srpski Telegraf, Informer, Pecan dhe Ruska Rec kanë të njëjten objektiv: glorifikimin e Rusisë dhe prezencën e saj në rajon. Për ta, është e rëndësishme promovimi i ushtrisë dhe marrëdhënieve ekonomike ndërmjet tyre.

Për shkak të luftës në Ukrainë, BE sanksionoi shpërndarjen e informacioneve nga Sputniku, megjithatë Serbia vazhdon ta lejoj ende këtë. Çfarë ndodhi ndaj Sputnikut dhe Russia Today është me datën 1 mars 2022, Këshilli i Evropës mori vendim që të ndalojë të gjithë operatorët nga transmetimi i çdo përmbatje nga personat juridik, entitet ose organet që janë pjesë në Aneksin XV. Rregullorja i referohet ndalimit të transmetimit të qëllimshëm të çdo përmbajtje. Rregullorja hyri në fuqi pasi u publikua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Çfarë vendosi Serbia? Alternativa i’u erdh nga RT direkt.

Plani i RT-së për Serbinë është shtrirja dhe përhapja e propagandës ruse edhe shfaqja televizive në 2024 që do të mbulojë çdo ngjarje politike nga një perspektivë tjeter (perspektivë ruse). Në nëntor 2022, RT filloi një projekt online në gjuhën serbe, RT Balkan. Redaktorja e RT, Margarita Simonyan shprehu në Telegram që RT ka filluar në Ballkan për arsye Kosova është Serbi.

Megjithatë, BE-ja reagoi ndaj këtij veprimi duke theksuar dezinformimin dhe propagandën masive për të sulmuar një vend të pavarur dhe për të përhapur gënjeshtrat toksike të Kremlinit. Prapëseprapë, Serbia është një vend kandidat për BE dhe duhet të përshtat prioritetet e saj të politikës së jashtme duke filluar nga sanksionet kundër Rusisë dhe ndalimi i mediave të tilla në territor.

Sputnik Serbia

Sputnik Serbia është filial i Agjencisë së Huaj Ruse Sputnik të themeluar nga Presidenti Putin në vitin 2014 dhe në vitin 2015 hapet në Serbi. Zyrja e vetme e Sputnik në Ballkan vazhdon të jetë në Serbi, edhe pse vendet fqinje përdorin lajmet, videot dhe tekstet e saj për qëllime të njëjta, ata nuk kanë një zyrë zyrtare të Sputnikut.

Redaktore është Ljubinka Milinčić nga Kosova. Ajo ka eksperiencë për një kohë të gjatë për mediat Serbe në Rusi – RTS, NIN, dhe Politika. Gjithashtu, ajo ka eksperiencë në Ambasadën Serbe në Rusi ku është marrë me përkthime të gjuhës ruse në gjuhën serbe. Ljubinka është e njohur si admiruese e Putinit dhe beson që ai e ka rikthyer Rusinë ku e ka pasur vendin në arenën botërore politike.

Një person tjetër me rëndësi të diskutohet është Nenad Zoriq. Ai ka qenë gazetar në Sputnik Serbia gjatë viteve 2014-2018. Pastaj, punoi si redaktor në Kosovo Online me një mision të

veçantë për agjendën ruse. Kur Sputnik Serbia është ekspozuar, ai u transferua në Euro News Srbija.

Bazuar në raportin e Friedrich Naumann Foundation for Freedom, të gjithë gazetarët që punojnë në Sputnik Serbia kanë kontratë njëvjeçare dhe marrin rrogën direkt nga Russia që është mbi mesataren e rrogës në Serbi. Në 2020, rroga mesatare e gazetarëve në Serbia ka qenë 450$.

Problemi me Sputnik Serbia nuk është vetëm përhapja e propagandës ruse por edhe narrativave të rrejshme për tema të ndryshme në lidhje me Ballkanin perëndimor. Sputnik Serbia qarkullon rreth temave për pozitën e Rusisë në botë, justifikimin e luftës në Ukrainë, Kosovën, zgjedhjet në Kosovën veriore, ushtrinë, NATO, Aleatët e Perëndimit dhe keqtrajtimi i serbëve në Ballkanin perëndimor.

Shembull, në 2021, kur Serbët në Kosovë bllokuan rrugën për kalim, Sputnik Serbia hapi një rubrikë për Krizën në Kosovën veriore që kishte lajme më së shumti të marra nga Kosovo Online. Sputnik Serbia thekson që regjioni është i ndarë pro-Lindjes dhe pro-Perëndimit që kanë për qëllim krijimin e tensionit dhe ndarjes. Sipas Sputnik Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mal i Zi janë të përshkruar nën influencën e Perëndimit dhe mungesë te sovranitetit për vendimet e tyre. Në anën tjetër, Serbia paraqitet si një storie suksesi së bashku me Republikën Srpska kundër NATO-së dhe BE-së. NATO dhe BE janë të potretizuar si ndërhyrëse në çështjet regjionale dhe të brendshme ku edhe NATO vazhdon të jetë agresive kundër Rusisë. Ndërsa Rusia mbetet mbrojtësi i të gjithë Serbëve. Fokusi qëndron në lidhjen historike dhe kulturore në mes të Serbisë dhe Rusisë. Sa i përket Kosovës, narrativat kryesore janë që Rusia po mbron serbët në Kosovë dhe Perëndimi po mbështet shqiptarët në Kosovë.

Një ndër shtet më të përmendura është Kosova dhe fjalët më të përdorura për të janë: Kosova dhe Metohija, Veriu, Dialogu, Specjalna, KFOR dhe Zgjedhjet. Kosova është protagoniste e narrative të Sputnikut Serbia si fajtore për spastrim etnik të Serbëve Kosovar. Këto lloje të narrativa po mundohen të përshkallëzojnë dhe përhapin lajmet e rrejshme për Kosovën që t’ia humb dobësoj aleancat ndërkombëtare.

Shembuj Illustrativ

Lidhja në mes të Sputnik Serbia dhe Kosovo Online është nëpërmjet shpërndarjës së lajmeve dhe narrativa të njëjta. Para luftës në Ukrainë, Kosovo Online ka prekur temat prej Sputnik Serbia duke i marrë në mënyrë direkte. Pas pushtimit të Ukrainës, Sputnik Serbia filloi të marrë lajmet direkt nga Kosovo Online. Përshembull, nëse e viziton faqen zyrtare të Sputnik Serbia edhe kërkon Kosovo Onlajn (Kosovo Online)1, gjen rreth 1329 lajme te marra nga ajo.

Më 29 maj 2023, për shkak të protestave të serbëve në komunat veriore, 30 pjesëtar të KFOR-it janë sulmuar. Një nga ushtarët, hungarez është detyruar të amputoj këmbën e tij si rezultat i sulmit fizik. Sputnik Serbia nuk raportoi asnjë lajm se çfarë ka ndodhur saktë. Kur kërkon për lajmet, bazuar në datën e incidentit, mundesh t’i gjesh lajmet tjera por jo që janë lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

Sputnik Serbia ka një prezencë në Telegram, X (më herët Twitter), dhe Odysee. Telegram është rrjet social rus i njohur i krijuar për siguri dhe komunikim të hapur pa mbikëqyrjen e shtetit rus. Odysee është plaftormë qendrore e ngjashme me YouTube por më e lirë dhe pa censurë. Postimi i videove në këtë platformë është për të shprehur çfarë mendon pa qenë i ndaluar ose cënuar. Sputnik Serbia ka 4,895

Me rastin e sulmit terrorist më 24.09.2023, mediat serbe nuk ngurruan në shpërndajen e propagandave dhe dezinformatave rreth së vërtetës që ndodhte në Kosovën veriore. Sputnik

1 Në gjuhën Serbe është e njohur dhe shkruhet si Kosovo onlajn.

Serbia nuk ndaloi as këtë herë, ku postoi lajme të takimit të Vuçiq me ambasadorin rus në Serbi duke e akuzuar Albin Kurtin dhe politikën e tij për shfarosje etnike të serbëve në Kosovë. Apo lajmi tjetër ku Vuçiq thotë që serbët e vrarë nuk janë terroristë. Narrativa të tilla që përgënjeshtrojnë të vërtetën ishin prezente dhe në qarkullim nga Sputnik Serbia.

Mjedisi Mediatik serb dhe rus Kundër Kosovës

Serbia tërheq mediat ruse që t’ju përshtatet elitave lokale dhe konfliktit rreth Kosovës. Bazuar në hulumtimin, pyetësori tregon që Serbët kanë prioritet politikën e jashtme ndaj Kosovës (45.5%) dhe (52.3%) deklarojnë kundër pavarësisë së Kosovës. Duke pasur këtë përqindje të serbëve që besojnë se Kosova nuk duhet njohur dhe mbështesin Rusinë e komplikon shumë situatën për shoqërinë të zgjedhin një tjetër aleancë përveç Rusisë. Për serbët është e domosdoshme të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj Kosovës ose do të shihen si më pak patriotë ndaj Serbisë. Përndryshe, në Kosovë, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sondazhi tregon që brenda 1-5 vitesh, Kosova do të normalizojë marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Një ndër faktorët për përhapjen e Influencës ruse është edhe mungesa e përmbatjes lokale që mbulohet me informata të tjera siç është: Serbia nuk duhet ta njoh Kosovën. Në shumicën e rasteve, mediat kryesore në Serbi ripublikojnë apo përdorin ngjarje të veçanta nga Russia Beyond, RT, Sputnik dhe Glas Moskve.

Megjithatë situatë me luftën në Ukrainë dhe politikën agresive të Rusisë, opinioni publik në Serbi referohet ndryshe ndaj sanksioneve kundër Rusisë në krahasim me vendet e tjera në rajon. Bazuar në pyetësor, njerëzit në Serbi besojnë që Serbia nuk duhet t’i vendos Rusisë sanksione për shkak të përvojës së tyre personale. Ata mendojnë që sanksionet do të ndikojnë në jetën e tyre të përditshme dhe ata e kanë përjetuar tashmë dhe i dijnë pasojat. Kjo lloj përgjigje tregon mishërimin dhe viktimizimin në mes të Serbisë dhe Rusisë që është mjaft e fortë.

Një metodë e njëjtë është përdorur edhe në luftën e Ukrainës, ku sipas Western Balkans Security Barometer në 2022, në Serbi njerëzit besojnë që faktori kryesor qe shkaktoi luftën është NATO.

Përsëri, lidhja në mes të Rusisë dhe Serbisë shihet e fuqishme edhe më bashkëpunuese pavarësisht përkundër të gjitha pamundësive.

Përfundimi

Fushatat sistematike të lajmeve të rrejshme kanë padyshim qëllime të caktuara politike edhe strategjike – bashkërendimi dhe sinkronizimi i luftës së informacionit që Rusia dhe Serbia bëjnë kundër Kosovës ka padyshim për qëllim dëmtimin e sovranitetit të Kosovës, dëmtimin e imazhit të Kosovës, diskreditimin e personaliteteve të larta dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të tensionit ndëretnik.

Duke marrë parasysh se mediumi elektronik Kosovo Online është në një përputhje të përhershme me politikat dhe vijën zyrtare të shtetit serb kundër Kosovës, atëherë mund të arrijmë në përfundimin e qartë se kjo media është mjet i sofistikuar propagandistik kundër interesave shtetërore të Kosovës, stabilitetit politik e shoqëror dhe bashkëjetesës ndëretnike.

Pyetjet dhe hipotezat se Rusia dhe Serbia synojne ta destabilizojnë Ballkanin janë mbështetur me fatke, argumente dhe analiza gjatë gjithë përmbajtjes së hulumtimit. Media Kosovo Online, Sputnik Serbia dhe RT janë në sinkronizim për të goditur me fushata të mirëorganizuara pavarësinë e Kosovës, paqen rajonale dhe për të synuar shembjen e rendit dhe progresit që perëndimi ka arritur në Ballkan.

Meqë Federata Ruse është në kërkim të vazhdueshëm për të destabilizuar Ballkanin, dhe mundësisht për të hapur një front të ri në këtë rajon, ajo do të vazhdojë ta përdor proxy-n e saj Serbinë dhe mediat që kontrollon Aleksandar Vuçiq për të shtyrë përpara këto axhenda.

Rreshtimi i Serbisë me Rusinë është mbështetur nga figurat politike pro-ruse sikurse Vuçiq që ka një ndikim në ndarjen e informacioneve në mjedisin mediatik. Pavarësisht presionit ndërkombëtar, opinioni publik në Serbi është empatik ndaj Rusisë dhe simbolizon perceptimin e viktimizmit dhe besimit që çdo sanksion kundër Rusisë do të dëmtojë qytetarët.

Është një tjetër pikë valide të përmendet që pavarësisht mediave, Kisha Ortodokse Ruse është identifikuar gjithmonë si instrument për influencën Ruse në rajon. Vëllazëria sllavike përmes vlerave ortodokse gjithmonë fortifikon interesat e Kremlinit dhe lidhjen me liderët politik në vendet e Ballkanit Perëndimor. Një shembull është roli i Konstantin Malofeev që kontribon direkt në fuqinë e butë të Rusisë në rajon. Përmes Kishës Basil dhe fondacionit humanitar Tsargrad TV, ai ka arritur të shpërndajë pikëpamjet pan-sllavike kundër Aleatëve të Perëndimit dhe justifikimin e influencës Ruse në Balkan.

Një tjetër pikë që vlen të përmendet është edhe qendra ruso-serbe Humanitare në Nish e regjistruar si organizatë jo-fitimprurëse si instrument për influencën në rajon. Si qendër humanitare ofron qendra të radikalizimit në lidhjë me grupet nacionaliste radikale.

Rekomandimet

Gazetari të pavarur: Shteti nuk duhet të kontrolloj mediat dhe duhet të inkurajojë gazetarinë në vendin e vet duke mundësuar burime kredible të informacionit. Kur gazetarët promovohen në mënyrë të pavarur mundësojnë një punë pa frikë të përndjekjes dhe censurës.

Kampanja për njohje të mediave: Edukimi i publikut për të luftuar dhe njohur dezinformatën dhe propagandën.

Diversiteti i mediave: Promovimi i mediave të ndryshme dhe largimi i centralizimit në duar të shtetit apo një personi.

Zhvillimi i programeve për media në shkolla: Edukimi luan një rol të rëndësishëm në definimin dhe të kuptuarit e mediave dhe burimeve.

Kundërshtimi i influences keqdashëse: Inkurajimi i shteteve të kundërshtojnë influencën ruse duke mbështetur inicativat për qeverisje të mirë, lirinë e medias dhe demokracinë në rajon.

Share.